Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Vengu kryen inspektimin e bazës së ndërtimit për hangarin e helikopterëve në Farkë

27/01/2025

Vengu kryen inspektimin e bazës së ndërtimit për hangarin e helikopterëve në Farkë

Së shpejti, helikopterët “Black Hawk” të cilët janë shtuar rishtazi në flotën e Forcës Ajrore shqiptare, do të kenë një hangar të ri modern, i cili plotëson të gjitha standardet për misionet e tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me komandantin e Forcës Ajrore, gjeneral brigade Ferdinant Dimo, dhe komandantin e Bazës Ajrore Farkë, kolonel Ervin Buzi, inspektuan nga afër progresin e punimeve për ndërtimin e hangarit të ri, i cili do të strehojë helikopterët e rinj dhe ekipet e tyre.

 “Është një investim domethënës për nevojat e skuadronit të ri të pilotëve dhe teknikëve të helikopterëve Black Hawk. Për herë të parë ne do të kemi një njësi autonome, ku të gjitha nevojat që lidhen me pilotimin, mirëmbajtjen e mjeteve Black Hawk të realizohen në një mjedis mëse të përshtatshëm, dinjitoz dhe modern.” - shprehu ai.

Komandanti i Forcës Ajrore Ferdinant Dimo foli për rëndësinë e investimit dhe rritjen e operacionalitetit të skuadronit të ri : “Është një nga mjediset model në Bazën Ajrore të Farkës, i projektuar në bashkëpunim me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hangari i ri do të ofrojë gjithçka që duhet që skuadroni i helikopterëve Black Hawk dhe ekuipazhet e tyre të realizojnë misionin e tyre. Skuadroni Black Hawk po kryen trajnimet e nevojshme që të kryejë jo vetëm transport trupash apo evakuime mjekësore, por të angazhohet edhe në emergjencat civile dhe operacionet e kërkim - shpëtimit.”

Koloneli Ervin Buzi, komandant i Bazës Ajrore Farkë, informoi ministrin se skuadroni Black Hawk është duke u trajnuar intensivisht nga agimi deri në muzg, për të arritur gatishmërinë 24-orëshe, duke përfshirë operacionet gjatë natës.

Me përfundimin e ndërtimit të hangarit të ri, Baza Ajrore Farkë dhe Forca Ajrore planifikojnë të kryejnë mirëmbajtjen e helikopterëve Black Hawk në këto ambiente, ndërsa synohet që Dita e Aviacionit më 24 prill të kremtohet pikërisht në këtë hangar modern.

Hangari i ri për helikopterët në Bazën Ajrore Farkë përfaqëson një investim prej afërsisht 489.8 milion lekësh, i realizuar në bashkëpunim me partnerët amerikanë, të cilët kanë ndihmuar në përcaktimin e specifikimeve teknike sipas standardeve më të larta.