Vengu paraqet në Komisionin Parlamentar të Sigurisë projektligjin për Forcën Rezerviste
di Redazione
16/12/2024
Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, prezantoi sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare projektligjin e ri për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”.
“Qëllimi i kësaj nisme ligjore është kompletimi i strukturës së shërbimit ushtarak në rezervë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar nivelin e gatishmërisë, duke synuar rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes për të përmbushur me sukses operacionet, në të cilat kjo forcë përfshihet si dhe të rregullojë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shtetasve, të organeve shtetërore e subjekteve private për rekrutimin dhe shërbimin nëforcën rezerviste”.
“Ndryshimi i mjedisit të sigurisë kohët e fundit, por edhe sfidat e viteve dhe dekadës së ardhshme kërkojnë që vendi ynë të rritë në maksimum kapacitetet dhe sinergjitë e forcave aktive, ndërkohë që është e nevojshme zhvillimi i një force rezerviste e integruar në forcën aktive, më role dhe detyra të reja dhe të përcaktuara qartë”
Shërbimi si rezervist zgjat nga 14 deri në 45 ditë në vit, por ky afat mund të zgjatet në raste të stërvitjeve specifike, pjesëmarrjes në misione apo operacione ushtarake ndërkombëtare nën drejtimin e OKB-së, NATO-s apo BE-së, misioneve humanitare ndërkombëtare të udhëhequra nga BE, ose operacioneve në mbështetje të autoriteteve civile gjatë emergjencave civile.
Shtetasit që do të bashkohen me shërbimin rezervist do të nënshkruajnë një kontratë për shërbimin ushtarak në rezervë, me një afat minimal prej 2 vitesh dhe mundësi rinovimi. Gjatë kësaj periudhe, projektligji përcakton se subjektet shtetërore dhe private janë të detyruara të japin leje kur kërkohet aktivizimi i rezervistëve, pa pengesa apo vonesa, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij shërbimi për interesin publik.
Qeveria ka parashikuar një kosto fillestare prej 1.694.704.920 lekësh për aktivizimin e 2100 rezervistëve, që përfshin armatimin, pajisjet taktike, setin individual dhe uniformën. Totali i kostos për implementimin e komponentit rezervist do të arrijë në 2.621.577.432 lekë.
Articolo Precedente
MBZHR : Rastet e murtajës afrikane të derreve prej 25 nëntorit janë 0
Articolo Successivo
Inagurohet Teatri i Kukullave në kryeqytet , investimi më i ri kulturor