Vengu zhvillon një takim me studentët e programit të masterit në AFA: Fokusim më i madh në sigurinë kombëtare
di Redazione
17/12/2024
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandantin e Akademisë, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, vizituan Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ku zhvillohen programet e studimeve të ciklit të dytë.
Ministri Vengu shqyrtoi nga afër infrastrukturën moderne dhe të avancuar për zhvillimin e mësimit teorik dhe praktik, dhe u takua me pedagogët dhe studentët e tre programeve të masterit që ofron Akademia e Forcave të Armatosura. Ai i përgëzoi studentët për zgjedhjen e tyre dhe besimin tek Akademia, duke ofruar mbështetje për ta dhe stafin pedagogjik.
Në fjalën e tij, ministri Vengu theksoi rëndësinë e vëmendjes më të madhe të shoqërisë ndaj kërcënimeve të sigurisë, duke përmendur si shembuj Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, kërcënime që mund të ndikojnë edhe në Shqipëri. Ai gjithashtu përmendi kërcënimet konkrete të aktorëve të huaj ndaj infrastrukturës kritike, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, duke përmendur sulmin terrorist në kanalin Iber-Lepenc më 29 nëntor, ku Shqipëria mbështeti Kosovën me energji për 48 orë falë interkonjeksionit mes dy vendeve.
Ministri theksoi gjithashtu shkatërrimin e Industrisë Ushtarake të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një gabim të madh. Ai e konsideroi industrinë ushtarake jo vetëm si një komponent të Forcave të Armatosura, por si një sektor mbështetës për të gjithë ekonominë e vendit. Sipas tij, me ndryshimet e fundit ligjore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për ringritjen e kësaj industrie.
Në përfundim, të pranishmit shprehën dëshirën dhe ftuan ministrin e Mbrojtjes të mbajë një orë leksioni për tema të lidhura me Sigurinë dhe Mbrojtjen.
Për vitin akademik 2024-2025, Akademia e Forcave të Armatosura ofron tre programe të avancuara të ciklit të dytë të studimeve, që mbulojnë fushat e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale. Këto programe kontribuojnë në zhvillimin e profesionistëve të kualifikuar për të përballuar sfidat e sigurisë globale dhe ofrojnë mundësi të shkëlqyera për studentët që dëshirojnë të avancojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në këto fusha kritike.
Articolo Precedente
"Komisioni i Pavarur i Kualifikimit", SHBA nxit prokurorët të vazhdojnë punën pavarsisht pengesave
Articolo Successivo
Koçiu për Buxhetin 2025 , 2 nisma të reja