Vet Hospital , Rama : Aty ku humanizmi takon kujdesin shëndetësor
di Redazione
28/05/2025
Për herë të parë në Shqipëri, është ngritur dhe po funksionon plotësisht “Vet Hospital” , një nga spitalet veterinare më të mëdha dhe më moderne në Evropë. Ky institucion i dedikuar kujdesit ndaj kafshëve është i pajisur me teknologji të avancuar dhe standarde bashkëkohore, duke ofruar shërbime të tilla si radiografi digjitale, sallë operacioni, urgjencë 24/7, stomatologji, reanimacion dhe një gamë të plotë trajtimesh për garantimin e shëndetit të kafshëve.
Ky projekt i veçantë, që kombinon sipërmarrjen me humanizmin, është krijuar nga katër mjekë të rinj veterinerë: Emre Aslan, Erko Prifti, Martin Llazani dhe Marvin Brahja , një arritje e rëndësishme për sektorin veterinar në vend.
Kryeministri Edi Rama vizitoi spitalin e ri, ku u takua me stafin mjekësor. Mjekët, të njohur për përkushtimin e tyre, trajtojnë mesatarisht mbi 100 raste në ditë, duke ofruar zgjidhje edhe për diagnoza nga më të ndërlikuarat në mjekësinë veterinare.
Spitali nuk ofron vetëm shërbime mjekësore, por edhe ambiente të dedikuara për blerjen e ushqimeve, veshjeve, trajtimeve estetike, si dhe hapësira ku të zotët mund të shoqërojnë kafshët e tyre gjatë trajtimit. Pas vizitës në ambientet e spitalit, Kryeministri Rama vlerësoi punën e mjekëve dhe të gjithë stafit, duke përfshirë edhe kontributin e arkitektit që konceptoi një strukturë moderne dhe funksionale. Ai e cilësoi këtë projekt si një hapësirë prekëse dhe frymëzuese për kujdesin ndaj kafshëve.
"Është një destinacion pa diskutim arkitekture dhe në fund fare po jo nga rëndësia, është një destinacion sipërmarrjeje dhe optimizmi për jetën dhe për të ardhmen. Mund të bëhet një film i tërë për këtë sipërmarrje, për këta 4 djem që pata privilegjin t’i njoh vetëm pak më parë, por të cilëve u kam admiruar punën, ambicien edhe shijen që sigurisht është meritë e arkitektit, Davides, por patjetër arkitektët janë të mirë aq sa klientët e tyre dhe nëse klientët nuk janë të mirë, arkitektët sado të mirë të jenë e kanë të vështirë që të bëjnë gjëra të bukura dhe është shumë prekëse, është shumë emocionuese të shikosh të gjithë rrugëtimin e brendshëm dhe gjithë itinerarin e përkujdesjes për këto kafshë dhe patjetër është dhe krenari e madhe të mendosh që ky spital veterinar gjendet në Shqipëri."